
Noterët kërkojnë rivlerësim me tatim 5 për qind edhe për apartamentet e blera me kontrata porosie
Noterët kërkojnë që rivlerësimi me tatim 5% të vlejë edhe për apartamentet e blera me kontrata porosie, përpara miratimit të ligjit të ri.
Para miratimit të projektligjit për rivlerësimin e pronës me tatim të reduktuar nga 15% që është aktualisht në 5%, noterët kërkojnë që në proces të përfshihen edhe apartamentet e blera me kontrata porosie (sipërmarrje).
Aktualisht këto lloj kontratash përfaqësojnë një formë shumë të përdorur blerje në tregun e ndërtimit në Shqipëri, ku madje në shumë raste kontrata e nënshkruar me ndërtuesin për blerjen e një apartamenti që është ende në ndërtim regjistrohet në hipotekë.
Megjithatë, në projektligjin e hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave, kjo kategori pronësie mbetet e pa përfshirë në vlerësimin e pronës me tatim 5%.
Noterët sugjerojnë se duke qenë se këto kontrata regjistrohen në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), duke i dhënë të drejtën qytetarit që këto prona të përdoren si garanci bankare apo ta trashëgohen, duhet të jenë pjesë e procesit të rivlerësimit.
“Rivlerësim mund të bëjnë edhe personat që kanë blerë me kontratë sipërmarrje (pronotim) njësi ndërtimore dhe me kusht që këto kontrata të jenë të regjistruara në ASHK Tiranë, në kartelën e veçantë të lejes së ndërtimit dhe rivlerësimi të citohet në atë kartelë.
Mendoj se kjo duhet të jetë në ligj si përcaktim, duke qenë se janë prona që disponohen në treg me marrëdhëniet juridike – civile si dhe janë pjesë e kolateraleve të bankave, të cilat japin kredi me bllokimin e këtyre të drejtave në kartelën e lejes së ndërtimit për qytetarin që ka blerë njësinë ndërtimore.
Duke qenë se projektet tashmë janë më cilësore dhe të ndërlikuara dhe duan më shumë kohë të mbrohen nga lëvizja e çmimeve edhe qytetari i cili pasi e ka blerë dhe regjistruar në ASHK të ketë mundësi ta rivlerësojë këtë pasuri në të ardhmen dhe shënimet përkatëse të bëhen tek kartela e lejes së ndërtimit që qytetari ka marrë nga ASHK pas regjistrimit të kontratës së sipërmarrjes për pronotim/ blerje të njësisë së ndërtimit nga shoqëria ndërtimore.
Po ashtu kjo do të sjellë edhe rritjen e edukimit të qytetarëve që të regjistrohen këto lloj kontratash në ASHK në Tiranë”, nënvizon noteri Ardian Stamo në sugjerimet dërguar Ministrisë së Financave për projektligjin e rivlerësimit të pronave të hedhur për konsultim publik. Sugjerimet e noterit janë publikuar nga Ministria e Financave të konsultimet publike.
Sakaq në muajin qershor agjencia Shtetërore e Kadastrës ndryshoi rregullat për regjistrimin e pronave të blera me kontrata porosie.
Sipas udhëzimit “Për miratimin e modelit dhe përcaktimin e rregullave të mbajtjes së regjistrit të lejes së ndërtimit, si dhe të procedurave të regjistrimit të kontratës së sipërmarrjes/porosisë dhe të premtim shitjes” përcaktohej se për pronat e shitura me kontrata porosie do të refuzohet regjistrimi në kadastër nëse pas verifikimeve ka ndryshime planimetrie të njësitë individuale. Refuzim të regjistrimit të pasurive me kontratë porosie do të ketë edhe nëse kërkuesi brenda afatit prej 30 ditësh nuk arrin të korrigjojë të dhënat që kanë mangësi apo pasaktësi.
Paralelisht me projektligjin për rivlerësimin e pronave me tatim të reduktuar në 5%, Ministria e Financave publikoi edhe projektligjin për ndryshimin e çmimeve të referencës në rrethe me rritje nga 0,2% deri në 226%.
Noteri Ardian Stamo në sugjerimet dërguar Ministrisë së Financave se ligji për rivlerësimin e pasurive, duhet t’u ofrojë qytetarëve sigurinë e rivlerësimit nga ndryshimi i çmimeve të referencave. “Pasi shumë qytetarë mund të bëjnë rivlerësimin në çmimin e referencës nga ASHK, sipas ligjit edhe nësë ndryshojnë në të ardhmen përsëri çmimet e referencës qytetari ekspozohet me tatim për diferencën. Ligji duhet ta ofrojë këtë siguri qytetarëve që aplikojnë dhe paguajnë rivlerësimin e pronës / zakonisht sipas çmimit të referencës”, pohon noteri Stamo.
Projektligji parashikon se afati i zbatimit të rivlerësimit të pronës me tatim 5% do të shtrihet nga 1 janari 2026 deri në 30 Shtator 2026.
Nga aminstitë e zbatuara nga 2011 deri në 2022 me norma tatimore nga 1, 2 deri 3% sipas të dhënave të Financave për rivlerësim pronash kanë aplikuar rreth 255 mijë aplikuar dhe janë arkëtuar 23,5 mld lekë tatim i paguar nga rivlerësimet. /Monitor(https://monitor.al/noteret-kerkojne-rivleresim-me-tatim-5-edhe-per-apartamentet-e-blera-me-kontrata-porosie/)
Më të lexuarat








